SHKOLLAT QË DO TË SHFRYTËZOHEN PËR VOTIM DO TË ZHVILLOJNË MËSIM ONLINE

Më 18 tetor nuk do të mbahet mësim me prezencë në klasë, në të gjitha shkollat të cilat do të shfrytëzohen për qendra të votimit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Ndërsa, në ato që nuk janë pjesë e procesit zgjedhor, mësimi do të mbahet sipas skenarëve që janë duke vazhduar.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Popovci i cili tha se më datën 19 tetor do të vazhdojë mësimi normalisht dhe se DKA-ta duhet t’i dezinfektojnë shkollat që janë shfrytëzuar si qendra votimi.

Pupovci: Më 18 tetor nuk mbahet mësim në shkolla që shfrytëzohen për qendra votimi

“E dini që të dielën do të mbahen zgjedhjet lokale dhe një numër i konsiderueshëm i shkollave janë qendra të votimit, kështu më 18 tetor, duke marr parasysh kushtet e pandemisë, është vendosur që në shkollat që janë qendra votimit të punohet me skenarin C, pra mësimi në distancë, ndërsa shkollat tjera që nuk janë qendra votimi vazhdojnë punën e tyre normalisht sipas planifikimeve paraprake. Ndërkaq, më datën 19 besojmë që mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat, pa dallim”, u shpreh Pupovci.

Lidhur me mungesën e teksteve shkollore, Popovci tha se kjo ka ndodhur pasi që disa drejtori komunale të arsimit (DKA) nuk kanë bërë kërkesa të sakta në raport me numrin e nxënësve.

Ai tha se disa DKA kanë dërguar kërkesa për tekste shkollore vetëm për shkolla publike, prandaj shumë shkolla private kanë mbetur pa u furnizuar me tekste shkollore.

Pupovci: Disa DKA nuk kanë bërë kërkesa të sakta për tekste shkollore

“Këtë vit shkollor do të shpërndahen tekstet për klasën 1-5 dhe 8, si dhe tekstet alternative për nxënësit 6-7 dhe po ashtu është kërkuar në mënyrë të qartë dhe të pa ekuivok shkollat t’i mbledhin tekstet për klasën 6, 7 dhe 9 dhe ato tua shpërndajnë nxënësve… Ne deri tani nuk kemi asnjë ankesë të vetme nga asnjë drejtori komunale e arsimit se iu kanë shkuar tekstet ndryshe nga ajo se si e kanë kërkuar domethënë çdo gjë është në përputhje me kërkesat që kanë ardhur nga drejtoritë komunale të arsimit. Ka shqetësime nga ana e prindërve dhe njoftimet nga mësimdhënësit, andaj MASHT ka reaguar duke dërguar komisionin nëpër disa shkolla…Ne kemi gjetur se shpërndarja është bërë në bazë të kërkesës, por kemi gjetur se nga ana e disa drejtorive komunale të arsimit nuk janë bërë kërkesa të sakta në raport me numrin e nxënësve”, deklaroi Pupovci.

Pupovci po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga IKSHPK që kur ka rishikim i masave fillimisht të lehtë lehtësime për procesin arsimor. Ndërsa, njoftoi se mbi 69% e shkollave punojnë me prezencë të plotë të nxënësve në klasa, dhe se mbi 94 % e mësimdhënësve janë imunizuar karshi COVID-19.

Pupovci: Mbi 69% e shkollave janë rikthyer plotësisht në shkolla

“Nga 779 shkolla fillore dhe të mesme sa janë në Kosovë, 539 ose 69 % punojnë me skenarin e rikthimit të plotë, pra i zhvillojnë orët mësimore të plota dhe me prezencën e të gjithë nxënësve. Ndërkaq, me skenarin A punojnë 222 shkolla ose 28.5%, dhe në këtë shkolla ka më shumë nxënës në paralele sesa limit I paraparë, prandaj ata ndahen në grupe dhe punojnë me orë të shkurtuara prej 25 deri në 30 minuta. Ndërsa, i kemi 13 shkolla në Kosovë që punojnë me skenarin B. Shkalla e vaksinimit të mësimdhënësve është 94.6%, ndërkaq 81.3 % e mësimdhënësve i kanë marrë të dy dozat e vaksinës… Në rast se do të kemi zbutje të masave siç është heqja e kufizimeve për persona e maska e të tjera, së pari duhet zbatohet në arsim e ka kjo arsyen e vet, sepse edhe të dhënat që i prezantova këtu kemi prezencën më të madhe të personave të vaksinuar si askund tjetër dhe kemi numrin më të vogël të rasteve. Pra, shkollat nuk janë vende ku përhapet pandemia në masën se si përhapet nëpër kafene e disa lokale tjera. Është një orientim i institutit që edhe javën e ardhshme të vazhdojnë këto masa në të gjitha nivelet por besoj që me rastin e zbutjes së tyre ato së pari do zbuten në shkolla e pastaj në institucioneve tjera”, tha Pupovci.

Lidhur hapjen e konkurseve në shkollat me shumicë serbe për mësimdhënës të gjuhës ruse, Pupovci tha se nuk ka qenë i informuar për këtë, por beson që gjuha ruse është pjesë e kurrikulës serbe me të cilën edhe mbahet procesi mësimor për serbët në Kosovë.