Marigona tregon një rast të bullizmit, ka një mesazh për nënat e reja

Vajza e lindur me nanizëm, e cila u bë zë i fuqishëm në thyerjen e paragjykimeve, seriotipizimit e bullizmit, Marigona Pervetica, ishte e ftuar sot në emisionin “Me 21- In” në Radio 21.

Edhe kësaj radhe ka ngritur zërin në ndalimin e bullizmit, derisa tregoi për një rast që ka përjetuar vet ajo.

“Një nënë e re që kishte në krah një fëmijë teksa qante e thoshte duke bullizuar e duke i mësuar ofendimin ku mes tjerash i thoshte: Pusho e shikon atë bebin teksa gishtin e tregonte nga unë, që nuk po qan. Prandaj ju kisha lutur e thënë sidomos nënave të reja le t’i mësojmë fëmijëve se Zoti ka krijuar njerëz të mëdhenj, njerëz të shkurtër të trashë të hollë, e nuk duhet të paragjykojnë askënd. E atyre që janë bullizuar ju kisha thënë mos u merrni me ata që ju bullizojnë, mos e ktheni kokën pas, por vetëm ecni para”, ka porositur Marigona.

Marigona ka treguar mes tjerash edhe për përkrahjen e madhe dhe inkurajimin që ajo ka nga shumë njerëz pranë nga familja e deri te artistja Dafina Zeqiri, që për të është një njeri i rrallë.

E pyetur se ku e shikon Marigona vetën pas 10 viteve, ajo ka thënë me një familje të shëndoshë, me një punë (aty ku ajo priste të punonte në administratë) e më shumë e angazhuar në aktrim herë herë larg Kosovës, por siç tha ajo duke u kthyer te foleja gjithmonë./21Media