Jep dorëheqje njëri nga Federata e Futbollit në Kosovë

Eroll Salihu nuk është më sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar se Salihu e ka ofruar dorëheqjen nga posti i deritashëm, shkruan Gazeta Express.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka liruar atë nga detyra e sekretarit të përgjithshëm dhe e ka emëruar Salihun si drejtor për çështje sportive – Këshilltar senior Ligjor.

“Z. Salihu e falënderoi KE dhe presidentin Ademi, duke potencuar se ka shërbyer për 15 vjet si Sekretar i përgjithshëm dhe tash dëshiron t’i kthehet çështjeve profesionale sportive dhe ligjore. Duhet të theksohet se z. Salihu është anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe kryetar i Këshillit të Arbitrazhit Sportive në KOK-ut ku do të vazhdojë edhe më tutje”, njofton FFK-ja.

Kohëve të fundit, Salihu i kishte prishur punët me kryetarin e FFK-së Agim Ademi, me të cilin qëndronin larg njëri-tjetrit. Madje, spekulohej se në mes tyre ka pasur edhe përplasje fizike disa muaj më parë.

Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së i ka marrë edhe disa vendime, prej tyre edhe atë që t’ia besojë kompanisë “Artmotion” transmetimin e ndeshjeve të Superligës dhe Ligës së Parë edhe për sezonin 2021/22.