Ja çka u bisedua në takimin Osmani – Lajçak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Sinjali.

Nga Presidenca njoftojnë se me Lajçakun, e para e vendit ka folur për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Osmani ia ka konfirmuar të dërguarit të BE-së se Kosova vazhdon të mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke theksuar se suksesi i dialogur është i rëndësishëm për mbarë rajonin.

“Presidentja Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Në këtë takim, Osmani citohet të ketë theksuar po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se “zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike”.

Ndërkaq, Lajçak ka vënë theks te nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në”, thuhet tutje në komunikatë.