Agim Çeku mbështet Daut Haradinajn: Është profili që i duhet Prishtinës

Ish komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka folur sot ekskluzivisht për Ballkani për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

I pyetur për vlerësimin e qeverisjes së Vetëvendosjes për këta pesë muaj, Çeku ka thënë se meqë ka një kohë që ka krijuar distancë me politikën dhe nuk është aktiv, do të rezvervohej të jap një vlerësim, mirëpo ai ka shtruar disa pyetje.

“Meqënëse që një kohë kam krijuar një distancë me politikën dhe nuk jam aktiv do të rezervohesha të jap një vlerësim për këta muaj të kësaj qeverie. Ju takon akterëve politikë dhe qytetarëve ta vlerësojnë se a po i realizon kjo qeveri pritjet e tyre të mëdha. A është jeta e tyre më e mirë dhe më e sigurt? A po e menagjon si duhet situatën me pandemi kjo qeveri, a po e përfaqëson Kosovën si duhet jashtë etj. Ajo që mund të them me dy fjali është se deri më tani nuk kemi parë ndonjë përpjekje serioze për të realizuar diçka nga premtimet e mëdha elektorale të kesaj qeverie. Më shumë kemi parë tentim për ikje nga përgjegjësitë sesa guxim për t’u ballafaqur me temat e mëdha”, ka thënë ish kryeministri kosovar për Ballkani.info.

Çeku: UÇK-ja s’ka arkiva, deklaratat e Qeverisë mund ta dëmtojnë pozicionin e Kosovës

Lidhur me temën e nxehtë të ditëve të fundit, atë të “arkivave” të UÇK-së, gjeneral Çeku thekson se nuk i di detajet se çka është biseduar brenda takimeve në Bruksel për këtë temë.

“Por nga ajo që kemi parë në publik nuk jam i sigurt nëse qeveria dhe z Bislimi e kuptojnë si duhet këtë temë dhe a e kanë mbrojtur si duhet në Bruksel. Unë në një prononcim për një media tjetër para dy ditësh e kam thënë qëndrimin tim për këtë temë, por e përserisë. UÇK-ja s’ka arkiva të tilla, ka arkiv shtetëror, por ne absolutisht s’kemi çka hapim, ne qenë gjithmonë të hapur, nuk ka asgjë që ne kemi fshehur, kështu që ajo është diçka e pakuptimtë. Pavarësisht nga qëllimi që i ka bërë qeveria këto deklarata kam frikë se ato do ta dëmtojnë pozicionin e Kosovës dhe mund ta dëmtojnë edhe pozicionin e liderëve të UÇK-së që janë në Hagë. Edhe në negociatat e mëhershme Serbia ka bërë përpjekje për të imponuar këtë temë dhe për ta përmendur UÇK-në në raport me të zhdukurit, por delegacioni i mëhershëm i Kosovës nuk ka renë në këtë grackë”, ka shtuar Çeku.

Ish kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës: Dauti është zgjidhja më e mirë për kryetar të Prishtinës

Agim Çeku para tetë vjetësh ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës. Dhe meqë është i lidhur me kryeqytetin, ai është pyetur për garën zgjedhore të 17 tetorit në Prishtinë.

Duke folur për Ballkani.info për këtë temë, Çeku e ka veçuar kandidaturën e Daut Haradinajt, kandidatit të AAK-së për kryetar të Prishtinës.

“Prishtina është kryetema e zgjedhjeve lokale dhe une i uroj shumë sukses mikut tim, Dautit në këtë garë që pres të jetë shumë interesante”, ka thënë ai.

Tutje Çeku e ka përmendur kohën kur ishte edhe vëtë kandidat, duke theksuar se e di që është terren i vështirë dhe sa e paparashikueshme din të jetë vota në Prishtinë.

“Unë e përgëzoj mikun dhe bashkëluftetarin tim Daut Haradinaj për kurajon me të cilën i ka hyrë kësaj gare dhe për seriozitetin dhe kreativitetin që po tregon. Është shumë aktiv dhe e ka marrë me pasion këtë punë dhe unë që kam pasur fatin të punoi nga afër me të di se sa profesionist dhe i vendosur është kur merr përsipër një mision. Dauti i ka dhënë një dimension të ri garës për Prishtinë dhe une besoj se qytetarët do t’i besojnë ofertës dhe përkushtimit të tij. Për Prishtinë do të ishte nder të ketë një kryetar të formatit të Dautit, i cili e ka dëshmuar se është i gatshëm t’i shërbejë qytetarëve dhe vendit të tij edhe në kohë lufte edhe në kohe paqeje. Prandaj unë edhe si qytetar, por edhe si mik dhe bashkëluftëtar e mbështes Dautin për kryetar të Prishtinës, sepse jam i bindur se Dauti është profili i liderit që i duhet Prishtinës për të bërë ndryshimin e madh. Profilet e kandidatëve tjerë nuk besoj se mund të bëjnë ndryshimet për të cilat ka nevojë Prishtina”, ka thënë në fund Çeku. Ballkani