A mund të bëhemi të pavdekshëm – sipas disa shkencëtarëve?

Demografët vlerësojnë se para brezit tonë rreth 100 miliardë njerëz jetuan dhe vdiqën, dhe asnjë prej tyre nuk është kthyer për të konfirmuar ekzistencën e një jete të përtejme, të paktën jo në standardet e larta dëshmuese të shkencës. Ky është realiteti i gjendjes njerëzore. “Memento mori”, siç reflektuan të krishterët mesjetarë – Mos harroni se ju duhet të vdisni.

Pse duhet të vdesim? Teologët dhe besimtarët fetarë kanë pasur prej kohësh një përgjigje të gatshme: vdekja është thjesht një kalim nga një fazë në tjetrën në një proskenium kozmik. Në botëkuptimin fetar vdekja nuk ka nevojë për asnjë shpjegim tjetër përveçse “Zoti e do” si pjesë e një modeli domethënës që do të zbulohet sapo të shkojmë në anën tjetër, zakonisht që përfshin një ‘ndëshkim’ kozmik për veprimet e dikujt dhe zgjidhje e të gjithave rezultateve morale.

Sidoqoftë, shumica e shkencëtarëve janë realistë më të ashpër në lidhje me vdekjen. Është thjesht rezultat i dy fakteve për natyrën: (1) Ligji i Dytë i Termodinamikës, ose fakti që ka një aspekt me një drejtim në universin tonë që çon në entropi dhe shkatërrim dhe gjithashtu vdekje për të gjitha sistemet, nga yjet dhe njerëzit në vetë universin; (2) logjika e evolucionit, ose fakti se përgjedhja natyrore ka krijuar gjene të pavdekshme përmes pasardhësve tanë, ndërkaq trupi të jetë i vdekshëm, sepse burimet trashëgohen më mirë te brezat e ardhshëm se sa të kishte ndodhur mbajtja gjallë e paraardhësve tanë – ne vdesim që të tjerët të jetojnë, transmeton Telegrafi.

Në çerek shekullin e kaluar disa nga këta shkencëtarë – veçanërisht ata që nuk besojnë në një shpirt të pavdekshëm ose parajsë eterike – kanë ndërmarrë qëllimin e madh të shtrirjes së jetëgjatësisë njerëzore në shekuj, mijëvjeçarë apo ndoshta edhe përgjithmonë. Kush janë këta tekno-ëndërrimtarë?

Procesi i ‘ngrirjes’

Qëllimi i krionikës, në një frazë, është “ngrij – prit – ringjall”. Shpirti në këtë skenar është vetja e ruajtur në kujtesë, kështu që kriopreservimi i kujtesës e ruan vetën pafundësisht deri në ditën kur teknologjitë mjekësore arrijnë për ta ringjallur atë. Aktualisht kjo po bëhet përmes vitrifikimit të trurit apo ‘ngrirjes’, që përfshin shndërrimin e trurit të ruajtur në një substancë të ngjashme me qelqin.

A mund të funksionojë? Neuroshkencëtari i njohur Christof Koch, shprehu skepticizmin e tij në lidhje me vitrifikimin e trurit: “Deri më sot, ne nuk kemi dëshmi se një tru i ruajtur mund të ndizet përsëri më vonë, me të gjitha kujtimet e mëhershme”. Përkrahësit e këtij procesi tregojnë për embrionet e ngrira që kthehen në jetë, por një tru është shumë më i madh dhe procesi i ngrirjes shkatërron neuronet që mbajnë kujtime, duke fshirë kështu vetën/shpirtin. Askush i ngrirë deri më sot nuk do të kthehet i gjallë.

Ekstropianët

Siç sugjeron edhe emri, ekstropianët janë kundër entropisë. Duke pasur parasysh fuqinë e jashtëzakonshme të Ligjit të Dytë të Termodinamikës, që thotë se universi është në një gjendje entropie, përkrahësit e idesë së ekstropianizmit, janë me të vërtet mendimtarë të guximshëm, me emra sikurse T.O. Tomorrow (Tom Bell), Max More (Max T. O’Connor), dhe Natasha Vita-More (Nancie Clark).

Entropia është një sasi termodinamike që përfaqëson mungesën e energjisë termike të një sistemi për shndërrim në punë mekanike, e interpretuar shpesh si shkallë e çrregullimit ose rastësisë në sistem.

Ekstropia është parimi pseudoshkencor se jeta do të zgjerohet pafundësisht dhe në mënyrë të rregullt, progresive në të gjithë universin me anë të inteligjencës dhe teknologjisë njerëzore.

Qëllimet e ekstropisë janë ngritëse nëse jo utopike: jetë më të gjatë, më shumë inteligjencë, mençuri më të madhe, përmirësim i shëndetit fizik dhe mendor dhe eliminimi i kufijve politikë, ekonomikë dhe kulturor për zhvilimin personal dhe avancimin shoqëror. Pasi të arrihen këto, ata thonë se “pavdekësia është rruga e ardhshme”.