Publikohen pamjet: Kështu u nxor 2-vjeçari i rënë në bunar, minatorët rrezikuan veten

Mesnatën e së shtunës minatorët e specializuar spanjollë bënë të mundur nxjerrjen nga pusi të trupit të pajetë të Julienit 2-vjeçar nga pusi ku kishte rënë që prej së dielës. Garda Civile Spanjolle ka publikuar pamjet e rënda sesi minatorët e specializuar kanë gërmuar thellë nëntokë, madje u është dashur të përdorin edhe shpërthim eksplozivi për të arritur në fund të pusit të thellë, në të cilën kishte mbetur 2-vjeçari Julen Rosello. Një ndër mediat kryesore spanjolle “El Pais” ka përcjellë një mesazh për punën e tyre:

Asgjë nuk mund ta kthejë në jetë fëmijën, por operacioni i shpëtimit qe një shembull i madh humanizmit. Julen Rosello nuk është shpëtuar dot. Ai është zhvarrosur. Ka një dallim midis jetës dhe vdekjes, midis shpresës dhe gjykimit. Humbi besimi se nëna Tokë do të mund të bënte një mrekulli, por rezultati tragjik nuk e hedh poshtë natyrën shembullore të kësaj inisiative, përkushtimin e vullnetarëve, vetësakrifikimin dhe rrezikun që ndërmorën minatorët, kujdesin me të cilin makineri të mëdha depërtuan tejpërtej në misterin e atij mali, kolosë çeliku që gërryen një mal për të zhvarrosur një foshnjë. Julen u përpi nga toka. Sa herë e kemi dëgjuar këtë shprehje. Qe një aksident fatal, prekës. Nuk kishte më asnjë shpresë për ta shpëtuar Julienin gjallë pas 48 orësh, por do të kishte qenë çnjerëzore të braktisej shpirti i tij. Jo si një ilaç për ankthin e prindërve, por për dinjitetin e shoqërisë.

Njerëzimi është i ekspozuar ndaj fatkeqësive dhe pamundësive, por emergjenca të tilla zgjojnë fuqishëm ndjeshmërinë. Julieni i bëri të dyja. Zhdukja e tij në barkun e malit bëri thirrje për besim dhe mëshirë. Të gjitha burimet njerëzore, logjistike, u vunë në  gatishmëri. U reagua me zgjuarsi dhe me djersë, qe një sfidë që portretizoi aktivizimin e ndërgjegjes. Ai mund të ishte biri ynë, nipi ynë, vëllai ynë. Kurrsesi nuk mund ta braktisej. Ai duhej zhvarrosur e të kthehej mbi tokë, por këtë herë me një epitaf guri dhe thirrje për të mos harruar. Ditë të ftohta, netë angushtie. Askush më mirë se minatorët e Asturias, nuk mund të tregojnë për to. Por, Julien ishte si fëmija i tyre. Ata rrezikuan jetën për të. Për një fëmijë dy vjeç. Dhe gjithçka, vetëm për humanizëm.