Tahiri: Heroi Izet Demaj na e dha shembullin e përkushtimit ndaj rendit dhe ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook pas ngjarjes së tmerrshme që ndodhi gjatë ditës në Istog. I pari i Drejtësisë në ekzekutivin e vendit ka shkruar se e ndan dhembjen me familjen e policit të rënë në detyrë.

“Ngjarja trishtuese që ndodhi sot në Istog, nuk ka vend në Kosovën e shpresave tona. Përjetim i rëndë për të gjithë shoqërinë, veçmas për familjen e policit të rënë në detyrë, të cilës i shprehë bashkëdhembjen dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta. Një ngjarje si kjo nuk bën të përseritet”, ka shkruar Tahiri. Për më shumë, Tahiri ka shkruar se do të vazhdojë lufta kundër krimit të organizuar, pasi vetë rënia e policit në detyrë, është shembulli më i mirë i përkushtimit ndaj rendit dhe ligjit.

“Shteti dhe mekanizmat e tij janë të palëkundur për të mbrojtur jetën e qytetarëve kurdo që kanosen. Lufta kundër krimit të organizuar nuk do të ndalet asnjëherë dhe do jemi të palëkundur ndaj cenimit të jetës dhe sigurisë së qytetarëve tanë. Shembullin e këtij përkushtimi ndaj rendit dhe ligjit, na e dha sot Izet Demaj, hero i Republikës së Kosovës” ka përfunduar Tahiri.