Sot bëhen 14 vjet nga aksidenti i maturantëve të Malishevës rrëfehen të mbijetuarit

Sot bëhen 14 vjet nga aksidenti në Fushë Arrës të Shqipërisë ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva të cilët po ktheheshin nga një eksursion. Familjarët dhe të mbijetuarit e aksidentit rrëfejnë për ngjarjen, ndërkohë që tregojnë se janë të zhgënjyer me trajtimin që iu bëjnë institucionet shtetërore.

Në familjen Suka në Banjë të Malishevës, për 50 vjet kishte pas vetëm lindje dhe asnjë vdekje. Kjo ndryshoi më 2004, kur më i riu i familjes humbi jetën tragjikisht.Berat Suka kishe shkuar në eksursion të cilën e organizonte shkolla, dhe duke u kthyer, autobusin në të cilin ndodhej, e kishte goditur një veturë çka shkaktoi pastaj hedhjen e autobusit në humnerë.14 vjet më vonë, Beratin e përkujtojnë njësoj me dhimbjen më të madhe që humbi jetën në moshën 18 vjeçare.Në një bisedë për KosovaPress, babai i tij, Osman Suka rrëfen për kohën kur kishte marrë lajmin, më 14 tetor të 2004-ës.Thotë se me të dëgjuar për aksidentin, mendja i kishte shkuar për djalin dhe ishte nisë për në Shqipëri.

Autobusi i gjimnazit “Abdyl Frashëri” ishte plot, 51 persona brenda, prej tyre 15 nxënës nuk iu bënë ballë lëndimeve dhe humbën jetën. Të gjithë të vdekurit ishin meshkuj.Ndërkohë, lëndime morën të gjithë të tjerët, përfshirë profesorët dhe shoferin e autobusit. Ky i fundit, siç tregojnë të mbijetuarit e aksidentit, nuk ka vozitur asnjëherë më autobus që nga ai rast.Sot 14 vjet pas aksidentin, babai i Berat Sukës, arrin të kujtojë çdo fjali që e kishte shkëmbyer me djalin para se ai të nisej për në Shqipëri.Profesori Zeqë Kastrati, që atëherë ishte kujdestar i klasës 12/4, mundohet të rrëfejë ngjarjen, por pranon se është shumë e vështirë të kujtohen nxënësit dhe të bisedohet me prindërit e tyre.Nxënësit kosovarë kishin shkuar të vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Për këtë, në atë kohë duhej të kalohej rruga e vjetër mjaft e papërshtatshme për vetura, sidomos për autobus.

Bajram Thaçi është një prej të mbijetuarve të aksidentit.Sot thotë se është shumë e vështirë të shkojë e të vendosë lule pranë varreve të shokëve të tij.Pas këtij aksidenti, biblioteka e gjimnazit mori emrin “15 maturantët”.Familjarët, të mbijetuarit e aksidentit dhe nxënës e profesorë të gjimnazit, që sot mban emrin “Hamdi Berisha”, për çdo 14 tetor organizohen dhe bëjnë homazhe te varrezat. Aty është e vendosur edhe një pllakë përkujtimore.Por, familjarët dhe të mbijetuarit e aksidentit, sot janë të zhgënjyer nga trajtimi që iu bënë shteti.Nga të mbijetuarit ka të lënduar që ende kanë nevojë për trajtime mjekësore meqë kanë mbet me problem të mëdha shëndetësore.Ata nuk janë të kënaqur as me mirëmbajtën e varrezave.Maturantët u aksidentuan më 14 tetor të vitit 2004 derisa po ktheheshin në Kosovë nga një ekskursion në Shqipëri.