Albulena Haxhiu “thumbon” rëndë Vjosa Osmanin pas ndalesës së shtetit serb

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi në “Facebook”, ka reaguar pas ndaljes së disa deputetëve të Kosovës, paraprakisht të Vjosa Osmanit, Blerta Deliut dhe Ilir Dedës. Haxhiu ka shkruar se nuk ka asgjë për t’u habitur për shkak të kësaj ndalese nga shteti serb, për arsye se tashmë dihet që qasja e Serbisë ndaj Kosovës është e pandryshueshme.

Deputetja e VV-së ka shkruar se Kosova duhet të tregohet shtet serioz dhe Qeveria duhet të veprojë në përputhje me interesat e Republikës dhe qytetarëve tanë duke refuzuar kështu bosnjëzimin e Kosovës dhe duke forcuar Republikën dhe sovranitetin.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë: Nuk po i kuptoj disa deputetë të Kuvendit kur po thonë “Serbia sot tregoi fytyrën e vërtetë”!!  Paskan shpresuar vazhdimisht që qasja e Serbisë ndaj Kosovës do të ndryshojë! Qenkan bindur tek sot, pas anulimit të ftesave për fytyrën e vërtetë të Serbisë! A deri sot i paskan varur shpresat në Serbinë?!

Qasja armiqësore e saj nuk mund të ndryshojë sepse udhëhiqet nga çetnikët. Kosova duhet të tregohet shtet serioz dhe Qeveria duhet të veprojë në përputhje me interesat e Republikës dhe qytetarëve tanë duke refuzuar kështu bosnjëzimin e Kosovës dhe duke forcuar Republikën dhe sovranitetin. Serviliteti dhe nënshtrimi ndaj Serbisë duhet të ndërpritet!