Bulliqi: Kosova ka menaxhuar me pikat kufitare me Malin e Zi deri në vitin 2009

Kryetari i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi gjatë prezantimit të raportit për marrëveshjen e Demakracionit para komisionit për Punë të Jashtme ka treguar se kanë gjetur të dhëna se Kosova humb territor.

Bulliqi më tej ka shtuar se në bazë të hulumtimeve që ka bërë në institucionet brenda e jashtë vendit, Kosova ka menaxhuar me pikat kufitare me Malin e Zi deri në vitin 2009.

“Shumë objekte infrastrukture për periudha të tëra kohore ka menaxhuar Kosova, kemi shtruar, mirëmbajtur rrugën e kemi kontrolluar dhe kemi menaxhuar me atë territor deri në janar të vitit 2009”.Ai ka shtuar se pas kësaj periudhe është kërkuar nga pala malazeze që të ndërpritet kontrolli i kësaj pjese.

Kryetari i Komisionit shtetëror për çështjen e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar që deputetët të mos i bëjnë pyetje politike gjatë raportimit të tij në Komisionin për Punë të Jashtme.

Por kjo kërkesë e tij është refuzuar nga kryetarja e komisionit në fjalë, Vjosa Osmani.